Gjebrea: Testi i imunologjisë, shumë i rëndësishëm, ky virus është “kokëfortë”

“Është një virus inteligjent dhe në këtë mënyrë bëhet e vështirë për të pasur një pamje të qartë të sjelljes së tij. Ka tre tipe brenda këtij virusi, të cilët janë identifikuar, duke përdorur një teknikë të algoritmit matematikor. Tipi B është më i zakonshëm në Azi, ndërsa Evropa futet më shumë te tipi C. Tashmë është shumë vitale që do të fillojë testime tek ata që nuk kanë shenja. Gjithsesi është shpejt, pasi do të presim për të parë se sa qëndrojnë këto antitrupa”.

Kështu u shpreh në A2, deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea, e cila në profesion është aerobiologe.

“Unë jam marr me polenet që shkaktojnë alergjinë. Unë kam arritur të studioj polenet që qarkullojnë në ajër. Por virusi nuk mund të shikohet me mikroskop të thjeshtë. Është shumë i vogël dhe përpiqet gjithmonë për të gjetur forma për të mbijetuar. Ky virus ka një tërheqje shumë të madhe ndaj qelizës humane. Është një virus shumë kokëfortë, por inteligjent”.

Më tej, Gjebrea foli edhe për kurbën, e cila fatmirësisht është horizontale. “Fatmirësisht nuk kemi kaluar skenarë si Italia. Kurba është horizontale, me luhatje të vogla, me disa vatra të vogla. Kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët që duhet të respektojnë masat. Kjo është e nevojshme. Tashmë jemi në sezonin e pranverës dhe kjo kohë është pak e vështirë të mbajë njerëzit në shtëpi. Nëse ne nuk respektojmë rregullat, na ikën kot ky mund. Unë jam realiste, dhe besoj se kjo është një kurbë që ne mund të shkojmë në një pjesë të dytë më të mirë të kurbës dhe mund të minimizojmë risqet”.

Në fund, Gjebrea foli edhe për një fakt të dalë nga statistikat. Burrat më të prekur se gratë. “Gratë kanë dy kromozome XX, ndërsa një tjetër teori ka të bëjë me hormonet, por këto janë teori të ngritura dhe statistikat janë aty ku janë dhe ne na duhet të kemi më shumë studime”, tha Gjebrea.