Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Itali, 454 të vdekur, por për herë të parë ulen të sëmurët

Nga A2 CNN
20 Prill 2020, 18:24 | Bota
Itali, 454 të vdekur,  por për herë të parë ulen

Shifrat e konfirmojnë ditë pas dite, Italia po e fiton gradualisht betejën me COVID-19. 454 viktima u  shënuan në 24 orët e fundit, më pak se një ditë më herët, ndërsa të infektuarit e rinj janë mbi 2200. Për herë të parë që prej shpërthimit të emergjencës, numri i pacientëve që aktualisht rezultojnë pozitivë ndaj koronavirusit është ne rënie, krahasuar me një ditë më herët.

Dy muaj pas shpërthimit të pandemisë që deri më tani ka marrë mbi 24 mijë jetë njerëzish, mes të cilëve edhe 137 mjekë, italianët pyesin se kur do të mbyllin këtë kapitull të errët të historisë.

Sipas një studimi të observatorit kombëtar për shëndetësinë, fundi i emergjencës, mund të vijë në kohë të ndryshme nëpër rajone. Në Lombardinë e prekur më rëndë dhe në Marke, mungesa e rasteve të reja mund të verifikohet jo më herët se sa fundi i qershorit.

Në Emilia Romanja dhe Toskana, mendohet se zerimi i infeksioneve mund të ndodhë në fillim të muajit maj, ndërsa në rajonet e tjera që në javën e tretë të prillit.

Me sinjalet pozitive që po lexohen qartë në shifrat e përditësuara, vëmendja është te faza e dytë e rihapjes, që mendohet të nisë në 4 maj.

Por rajonet që duan të rinisin aktivitetet, duhet të garantojnë se kanë në dispozicion spitale COVID, dhe zona ku të mbajnë të izoluar personat që rezultojnë pozitivë. Ky është kushti që vendos qeveria për zhbllokimin e sektorëve të automobilave, ndërtimit dhe modës. Sa i përket bareve dhe restoranteve, drita jeshile duket të jetë ende e largët.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani