E ardhmja e pushimeve në det, mund të jenë kupolat prej bambuje

Edhe pse nuk dihet ende se si dhe kur do të rikthehemi në jetën para koronavirusit, arkitektët e gjithë botës janë në punë për të projektuar module ku të bashkëjetojnë masat e distancimit social me shplodhjen e pushimeve.

Një propozim interesant vjen nga Roma, ku disa arkitektë të kompanisë Obicua kanë projektuar disa module në alumin dhe bambu, të quajtur “The Cupola”.

Në ndryshim me propozime të tjera në pleksiglas, që u kritikuan për nxehtësinë që mund të përcillnin te pushuesit, modulet në bambu arrijnë të depërtojnë më mirë ajrin duke i dhënë atyre një ndjesi lirie dhe jo kufizimi, që do t’i kujtonte karantinën e kaluar.

Çdo “kupolë”, me diametër 4 metra, parashikohet të ketë një distancë prej dy metrash nga tjetra, dhe në afërsi do të kenë një dush ose vaska me ujë deti për t’u freskuar.

Struktura, që mund të çmontohet thjeshtësisht, do të ndërtohet në pozicion paksa të pjerrët, në mënyrë që të mbetet pamja nga deti.