Ramazani në kohën e Covid-19… Vendet e shenjta bosh, besimtarët do të luten në shtëpi

E premtja do të shënojë nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Por me vendet e kultit të mbyllura për shkak të pandemisë Covid-19, ky muaj i shenjtë këtë vit do të jetë ndryshe.

Sheshet në Mekë dhe Medina në Arabinë Saudite apo i xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem, do të jenë bosh, pasi autoritetet i kanë kërkuar besimtarëve të luten në shtëpi.

Për myslimanët një pjesë e rëndësishme e muajit të Ramazanit, është lutja e përditshme në xhami. Historikisht xhamitë mbushen me besimtarë gjatë këtij muaji, deklaroi imami Omar Suleiman. Por sipas tij, besimtarët mund të luten në xhami ashtu sikurse mund të luten në shtëpi, dhe lutja është njësoj e vlefshme.

Gjatë kësaj kohe kur njerëzit janë të vetëkarantinuar në shtëpi për të penguar përhapjen e koronavirusit, imami Suleiman i inkurajon të gjithë besimtarët myslimanë të fokusohen te lutjet individuale dhe ta kthejnë izolimin në një paqe të brendshme. “Kur i kërkon njerëzve të luten individualisht, ata e kanë të vështirë pasi janë mësuar të luten pranë xhamive”, tha imami, i cili shtoi se ky adhurim “virtual” mund të çojë në ulje të interesit të besimtarëve për t’u lutur, dhe se në momentin kur ata do të jenë të lirë të kthehen në xhami, nuk do të duan ta bëjnë një gjë të tillë.