Pyetësori te kompanitë prodhuese: Përkeqësohet gjendja, 65,1% të pakënaqur nga paketat e qeverisë

KRONIKE RRITJA EKONOMIKE frame 50 1100x620

Situata me koronavirusin ka krijuar një gjendje alarmante në sektorin prodhues. Në pyetësorin e dytë të zhvilluar nga Shoqata e Prodhuesve, të siguruar në mënyrë ekskluzive nga A2, 100 kompani të mesme dhe të mëdha evidentojnë një përkeqësim të situatës së tyre, çka reflektohet më pas në aftësitë paguese ndaj punonjësve dhe në detyrimet ndaj shtetit.

45% e kompanive të pyetura deklarojnë se nëse bllokimi vazhdon, atëherë do të kenë mundësi që ta mbajnë hapur aktivitetin vetëm për 1 muaj. 54.7% e kompanive të pyetura, janë përgjigjur se ndikimi i pandemisë së COVID-19 në biznesin e tyre ka qenë shumë negativ.

Aktualisht, 76.7% e kompanive të pyetura shprehen se po punojnë me kapacitet të kufizuar, ndërsa 16.3% janë mbyllur tërësisht. Kompanitë e anketuara vlerësojnë se tre problemet kryesore, me të cilat përballen aktualisht janë mungesa e likuiditetit, mungesa e klientëve dhe ulja e prodhimit.  

74% e kompanive deklaruan se për marsin, të ardhurat e tyre ranë me më shumë se 70%, ndërsa në prill numri i bizneseve që raportojnë një përkeqësim të financave të tyre u rrit deri në 84% të totalit të kompanive të pyetura.

Pjesa më e madhe e kompanive të pyetura deklarojnë se për marsin i kanë paguar punonjësit e tyre, por 33% e tyre, shtojnë se mund ta garantojnë fondin e pagave vetëm për 1 muaj.

87.7% e kompanive të pyetura përgjigjen se ka një rënie të ndjeshme të numrit të kontratave dhe anulim në masë të kontratave dhe porosive për muajt në vijim. 

Prodhuesit janë të pakënaqur edhe nga paketat financiare të qeverisë. Pyetjes “Sa i kënaqur jeni me paketën e ndërhyrjes në ekonomi të qeverisë për përballjen e pandemisë Covid-19”, 65.1% janë përgjigjur negativisht.

Pjesa më e madhe e kompanive të anketuara shpjegojnë se masat ekonomike ofrojnë lehtësim shumë të kufizuar ndaj vështirësive të biznesit. 57% e bizneseve deklarojnë se do të përfitojnë nga garancia sovrane e qeverisë për të kërkuar kredi në bankë dhe 43% shprehen se nuk do të aplikojnë.