Si do të ruhet distanca në avion pas Covid-19?

Pas Covid-19, të gjithë parashikojmë që për secilin prej nesh, të ndryshojë mënyra se si jetojmë. Quhet “Janus” modeli që kompanitë e interiorit për aviacionin kanë propozuar për pozicionimin e ndenjëseve në avion.

Pasi izolimi të marrë fund dhe të rikthehet kërkesa për fluturime, kompanitë do të jenë më të kujdesshme për sigurinë e pasagjerëve, e do të kërkojnë zgjidhje për një distancim social brenda kabinës së avionit.

Modeli i propozuar parashikon që ndenjëset të vendosen një para dhe një pas, përbri njëra tjetrës, dhe pasagjerët të jenë të ndarë nga njëri-tjetri nga një xham mbrojtës. Praktikisht në një rresht me 3 sedilje, ndenjësja e mesit do të jetë e kthyer me shpinë në drejtim të kundërt me atë të fluturimit, ndërsa ato të anës do të jenë në pozicionim normal.

Xhami ndarës mes sediljeve do të mbrojë pasagjerët nga personat që kanë në krah, por edhe nga ata që lëvizin në korridorin e kabinës. Këto masa minimizojnë kontaktin mes pasagjerëve fizikisht, por edhe atë të marrjes së virusit nëpërmjet ajrit për shkak të distancës së afërt.