Pensionistët në rrethe/ Tuten kuksianët, shkodranët dalin në xhiro

Publikuar më: 25/4/2020, ora 15:22

Pensionistët në rrethe/ Tuten kuksianët, shkodranët dalin në xhiro

Publikuar më: 25/4/2020, ora 15:22

Shtimi i rasteve të reja me të prekur nga Covid-19 në Kukës duket se ka rritur ndërgjegjësimin mes qytetarëve, në respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së sëmundjes.

Ndryshe nga një javë më parë, këtë të shtunë u vunë re më pak të moshuar në rrugët e Kukësit, pavarësisht lejes së autoriteteve për liridalje të pensionistëve. Me 6 rastet e reja të së shtunës, numri i të infektuarve në Kukës arrin në 18 dhe qytetarët nuk e fshehin më frikën.

“Kemi frikë për shëndetin tonë. Janë frikësuar pensionistët në Kukës. Të gjithë do të vdesim, por jo të vdesim dhe mos të të prekë me dorë as shtëpia. Kjo është shumë e rëndë”, shprehet një banor i Kukësit.

Ndryshe shfaqet situata në Shkodër, ku të moshuarit populluan qendrën e qytetit dhe lulishten. Reduktimi i rasteve të reja të zbuluara në qytet, krahasuar me shpërthimin e para një jave, duket se ka relaksuar disi edhe moshat e treta që iu gëzuan rrezeve të diellit.

Ndërkohë, autoritetet kanë vazhduar me kontrollet për respektimin e ndalimqarkullimit për të gjithë pjesën tjetër të popullsisë. Në Durrës, vetëm në 24 orët e fundit janë gjobitur 81 këmbësorë, ndërsa janë marrë masa ndaj 6 drejtues automjetesh që lëviznin pa autorizim. Forcat e rendit kanë përdorur edhe dronet për evidentimin e qytetarëve që shkelin urdhrin e kufizimit të lëvizjes.

Në Krujë, një tjetër vatër që i është shtuar hartës së fundmi, kanë vazhduar kontrollet në fasoneri, ku janë gjobitur 3 prej tyre për moszbatim të masave në mbrojtje të shëndetit të punonjësve.