Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Ultrasit, kundër rinisjes së Bundesligës pa tifozë

Nga A2 CNN
25 Prill 2020, 17:49 | Futboll
Ultrasit, kundër rinisjes së Bundesligës pa tifozë

Bundesliga dëshiron që të rinisë fundjavën e dytë të majit, por tashmë ka një pengesë për t’u kapërcyer. Duket serioze pasi shqetëson edhe zbatuesit e ligjit. Disa grupe tifozësh nuk dëshirojnë që kampionati të rifillojë me dyer të mbyllura.

Sipas Presidentit të Sindikatës Gjermane të Policisë, Rainer Vendt, tifozët kërkojnë që ndeshjet të mos luhen pa tifozë, ndërkohë që stadiumet janë të hapura. Ajo që shqetëson është se gjatë garave do të ketë tubime jashtë ambienteve sportive dhe policia do të kishte edhe më shumë punë për të bërë.

Kancelarja Angela Merkel pritet të japë më 30 prill mendimin e qeverisë për rifillimin e Bundesligës. Shenjat janë pozitive, por përfaqësuesit e tifozerive kanë publikuar një deklaratë të ashpër kundër Ligës, sipas të cilëve do të ishte një tallje që futbolli profesionist të nisë në këto momente, pasi ka qenë i sëmurë për një kohë të gjatë dhe duhet të mbetet në karantinë.

Edhe një prej tifozerive të Bayern Munchen kritikoi zgjidhjen aktuale për të luajtur pa tifozë. Në Mynih, afër “Allianz Arena”, u shfaqën parulla si “Lakmia juaj nuk ndalet as përballë një pandemie”, “Tamponë për grupet e riskut në vend të kukullave milionere” dhe “Mjaft me diktaturën e parave”.

Po kështu, ultrasit e Shtutgartit ishin të bindur se tifozët janë një sfond shumë i bukur, por nga këndvështrimi i drejtuesve nuk është i nevojshëm: “Ata ndoshta do të dërgojnë ekipe të tëra në Hënë vetëm për të rifilluar sezonin”.

Sidoqoftë, ultrasit nuk përfaqësojnë shumicën. Nga një sondazh me 1350 tifozë, 74% e të intervistuarve thanë se ishin në favor të ndeshjeve pa tifozë. Disa klube të Bundesligës rrezikojnë krizën financiare nëse nuk kthehen në fushë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Presidenti i Bundesligës iu përgjigj ashpër protestuesve se nëse do të ketë bllokim para stadiumit, atëherë klubi pritës do të ndëshkohet me humbje të ndeshjes në tavolinë.

Pra, pakënaqësia e dyerve të mbyllura, më shumë se një protestë, tashmë po kthehet në problem.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani