Rihapja e ekonomisë, nga e hëna nis punën fasha e dytë e bizneseve

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat, foli për masat lehtësuese, të cilët hynë në fuqi nga dita e hënë.

“Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Kemi vendosur se duke filluar nga 27 prilli, do të zgjerohet fasha nga 90 minuta në 2 orë”, u shpreh ministrja.

Nga dita e hënë, një numër i madh biznesesh do të lejohet të nisin punën, në kuadër të planit të hapjes graduale të ekonomisë. Blloku i dytë i aktiviteteve të lejuara përfshin dyqanet e veshjeve dhe këpucëve, argjendaritë, mobilieritë, si dhe tregtinë me pakicë të mallrave të ndryshme si lodrat, qilimat, pajisjet elektronike, pajisjet sportive, etj.

Brenda fashës orare 05:00 me 17:30, do të lejohet të rinisin aktivitetin edhe dyqanet e luleve dhe të kafshëve, si dhe shërbimi taksi, që ka një protokoll të veçantë të masave higjieno-sanitare. Transporti me taksi do të lejohet vetëm brenda qytetit, vetëm gjatë orarit të caktuar dhe duke lejuar vetëm 1 pasagjer.

Po nga e hëna do të hyjnë në fuqi edhe lehtësimet e lëvizjes për bashkitë pa raste të infektuarish me COVID-19, të quajtura zonat e gjelbra. Në 20 bashkitë e përqendruara kryesisht në jug dhe në lindje të vendit, do të lejohet lëvizja me automjete private pa autorizim, ndërsa do të ndalohet rreptësishtë hyrje-dalja në perimetrin e këtyre zonave.

Pensionistët do të mund të lëvizin lirisht deri në orën 8:30, ndërsa pas orës 9:30 do të lejohet lëvizja e lirë për pjesën tjetër të popullsisë, por duke evituar grumbullimet.