Covid-19 me zona të reja, si lexohet pandemia në javën e 8 të saj në Shqipëri?

Në javën e 8 të koronavirusit në Shqipëri, në vendin tonë numërohen 736 të infektuar në total. 10 rastet e fundit pozitive, iu shtuan listës së të prekurve sot, kur Task Forca bëri përditësimin e zakonshëm. Prej ditës së sotme, disa kategori biznesesh u lejuan të rikthehen në punë, ndërsa hyri në fuqi edhe një zgjerim i kohës totale në të cilën lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve për të kryer aktivitetet e nevojshme.

Për situatën e pandemisë, kur jemi në javën e tetë të saj, foli në A2 Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Tomini u shpreh se duhet të kalojnë dy javë për të parë nëse lehtësimi i masave ka pasur peshë në kurbën epidemike.

“Lehtësimi i masave vjen gradualisht me plotësimin e kritereve. Duhet të kalojnë dy javë për të parë nëse lehtësimi i masave ka pasur peshë në kurbën epidemike. Kurba ka një karakter vatror. Kjo do të thotë se në momentin kur evidentohet një vatër, kontaktet pasuese sjellin një tendencë në rritje, e cila herë pas here sjell dhëmbëzime në kurbën epidemike. E kemi kaluar atë pikë që kishim parashikuar dhe mund të përballemi me një valë të dytë, ndërsa kemi një trend në ulje nëse shohim mesataren e përgjithshme gjatë javës. Megjithatë, sa i përket lirimit të masave ne parashikojmë një mobilizim dhe sensibilizim të vazhdueshëm në vijimësi të popullatës. Por kemi edhe një pritshmëri në rritje të një vale të dytë, në tendencë të rasteve pozitive për shkak të prishjes së këtij ekuilibri në ruajtjen e distancimit social dhe masave të tjera higjienike”.

Më tej, Tomini theksoi se janë tre tregues që do të kontrollohen në fund të dy javëve nga lehtësimi i masave për të vendosur më pas nëse do të kalohet në një tjetër fazë. “Lirimi gradual do të ketë edhe frenat për të rikthyer në një fazë të mëparshme apo për të kaluar në një fazë tjetër. Nëse treguesit kundrejt shtrimit të pacientëve në spital do të rriten, nëse rastet reanimatore do të rriten, do të kemi një tendencë në rritje të të gjitha rasteve pozitive. Këta janë 3 indikatorët bazë të cilët ne i monitorojmë dhe i vlerësojmë gjatë 14 ditëve dhe më pas do të shikojmë nëse do të merren masa në vijueshmëri drejt lirimit të masave”.