
Qeveria shtyn tenderat e rindërtimit për 8 shkolla dhe dy kopshte
Qeveria shtyn tenderat e rindërtimit. Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar se janë shtyrë tenderat për 8 shkolla dhe 2 kopshte në Tiranë, që pësuan dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Sipas raportit të APP, tenderi me fond limit 14,3 milionë lekë është anuluar përkohësisht, pasi asnjëra nga kompanitë pjesëmarrëse nuk plotësoi kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm.
Një ndër shkollat e renditura në listë për rindërtim është edhe Gjimnazi “Sami Frashëri”, i cili u shemb 3 ditë më parë nga IKMT me një fond limit mbi 3,6 milionë lekë. Pjesë e rindërtimit janë edhe ndërtimi i shkollave 9-vjeçare “Hasan Vogli”, “Mangull”, “Pezë e Vogël”, “Qazim Turdiu”, “Murat Toptani” dhe “17-Shkurti”.
Gjithashtu, pjesë e listës janë edhe dy kopshte, Fikas dhe Gurrë, si dhe ndërtimi i shkollës cikli i ulët “Pajan”.