Kriza në Ballkanin Perëndimor, BE tjetër paketë ndihmash për rajonin

Bashkimi Europian 1100x620

Bashkimi Europian po diskuton mbi një paketë të re ndihmash për Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar rajonin të përballet me pandeminë dhe krizën ekonomike të shkaktuar prej saj.

Një draft dokument, i parë nga “Europa e lirë”, pritet të miratohet pas një video-konferencë mes liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor, e planifikuar për në datën 6 maj.

 Në të thuhet se blloku ka mobilizuar një paketë prej disa miliardë eurosh për të ndihmuar rajonin. Zyrtarë europian me dijeni mbi çështjen thanë për “Europën e Lirë” se shuma e parave nuk dihet, pasi jo të gjitha kontributet janë dhënë.

Draft dokumenti thekson se paketa përfshin mbështetje të menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, veçanërisht përmes dërgimit të pajisjeve thelbësore për shpëtimin  e jetëve dhe suport të rëndësishëm për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të rajonit.

Ndihmat do t’u shtohen 38 milionë eurove që Brukseli u zotua t’u japë 6 aspirantëve për t’iu bashkuar bllokut në muajin mars, dhe gjithashtu paketës makro-financiare prej 750 milionë eurosh, e njoftuar javën e kaluar.

Në dokument kërkohet gjithashtu që komisioni europian të hartojë një plan të fortë investimesh në rajon, që synon përmirësimin e ekonomive dhe kompetivitetin e tyre.

Por siç thuhet, mbështetja në rritje do të lidhet me progresin e prekshëm në fushën e sundimit të ligjit, reformave social-ekonomike dhe përkushtimit të Ballkanit Perëndimor ndaj vlerave e standardeve europiane.