Polemika për çmimin e maskave, 6 miliardë euro në vit për rimëkëmbjen e ekonomisë në Itali

Përditësuar më: 28/4/2020, ora 18:28

Polemika për çmimin e maskave, 6 miliardë euro në vit për rimëkëmbjen e ekonomisë në Itali

Përditësuar më: 28/4/2020, ora 18:28

Për rimëkëmbjen ekonomike të Italisë pas izolimit dhe koronavirusit, do të duhen 6 miliardë euro investime në vit deri në 2031. Deklarata vjen nga ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri, i cili foli për ndërhyrje specifike për të stimuluar rritjen.

Në vitin 2020, sipas parashikimeve të qeverisë, vendi fqinj do të humbasë 70 miliardë euro në konsum. Kjo është rënia më e fortë e regjistruar ndonjëherë që prej pasluftës.

“Po diskutojmë për heqjen e taksës për sheqerin dhe plastikën”, shpjegon Guatlieri, ndërsa thekson se po përgatitet dhe një model ndihme për biznesin e mesëm dhe të madh për të kapërcyer situatën e rëndë të krijuar nga pandemia. Italia po shkon drejt rihapjes së ekonomisë, por masat lehtësuese kanë shkaktuar mjaft polemika.

Kundërshtimet për rregullat në fazën e dytë të pandemisë lidhen kryesisht me lëvizjen e lirë dhe maskat mbrojtëse. Duke nisur nga 4 maji do të lejohet qarkullimi i qytetarëve brenda rajoni dhe jo jashtë tij dhe kjo konsiderohet e tepërt nga italianët. Ndërsa do të shpërndahen dhe 12 milionë maska në ditë, por çmimi i tyre ka shkaktuar polemika. Qeveria vendosi një tavan për çmimin e maskave, që është kundërshtuar gjerësisht nga tregtarët.

Liberalët kërkojnë që çmimi i tyre të vendoset nga tregu. Ndërkohë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në lehtësimin e masave. Sa i përket rikthimit në normalitet të plotë, kjo do të ndodhë vetëm pas gjetjes së një vaksine kundër Covid-19. Që prej shpërthimit të pandemisë, në Itali kanë humbur jetën më shumë se 27 mijë persona dhe janë prekur më tepër se 199 mijë vetë.