Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Si do mbahen provimet? Fakultetet nuk do të veprojnë të gjithë njëlloj

Nga A2 CNN
28 Prill 2020, 16:21 | Sociale
Si do mbahen provimet? Fakultetet nuk do të veprojnë të

Pandemia e koronavirusit nuk do të djegë vitin akademik, por do të kushtëzojë mënyrën e zhvillimit të provimeve. Në këtë situate të pazakontë, universitetet po planifikojnë skenarët për mbylljen e shkollës dhe diplomimin e studentëve të vitit të fundit.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja tashmë ka vendosur që 2 mijë studentët e tij, provimet do t’i japin online. E po kështu do të bëhet edhe mbrojtja e diplomës. Viti nuk do të zgjatet, por do të ketë dy periudha provimesh online.

“Është në dorën e studentëve të zgjedhin ose të japin provimet online në qershor, ose mund të vijojnë në shtator ku kemi caktuar një sezon më vete, jo sezon vjeshte. Ne e kemi lënë në dorë të pedagogëve për mënyrën e zhvillimit të provimit në varësi të lëndës që ai jep. Edhe diploma këtë vit të pazakontë do të mbrohet online”, thotë Artur Sula, dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Për Fakultetin e Drejtësisë, provimet online janë alternativa e fundit dhe vetëm nëse situata nga  epidemia përkeqësohet. Dekani Artan Hoxha tregon për A2 se provimet do të mbahen gjatë gjithë verës, jo nga kompjuteri, por në auditorët e fakultetit, duke u respektuar distanca dhe masat mbrojtëse.

“Falënderoj pedagogët që janë angazhuar në një proces të ri për ta duke dhënë mësim online dhe jo në kontakt të drejtpërdrejtë me studentët. Ne si fakultet do të mundohemi t’i zhvillojmë provimet në auditor duke respektuar të gjitha masat, duke zgjatur kohën dhe datat e provimit. Nuk përjashtohet mundësia që këtë vit provimet të zgjaten deri në gusht, apo shtator, për të mbyllur vitin akademik”, thotë Hoxha.

Ndërkohë, edhe fakultetet e tjera pritet të nxjerrin vendimet e senateve në lidhje me mënyrën sesi do të mbyllet viti akademik. Edhe Ministria e Arsimit po harton skenarët për mbylljen e arsimit parauniversitar dhe mënyrën e zhvillimit të provimeve, veçanërisht për maturantët.

Burime për A2 bëjnë të ditur se me gjasë këtë vit nuk do të zhvillohet testi i klasave të 5-ta, dhe të njëjtin qëndrim ekspertët kanë për provimet e klasave të 9-ta. Ndërkohë, pritet një vendim për mënyrën sesi do të zhvillohet procesi I maturës shtetërore, për te mbylljen e gjimnazit dhe hyrjen në universitete.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani