A2 brenda Spitalit Infektiv, aty ku luftohet me armikun e padukshëm

Frika që na ka mbërthyer të gjithëve këto ditë është e madhe, disa strukur në shtëpitë tona, ndërsa të tjerë në përballje me këtë të keqe të madhe. Pikërisht, atje nga vija e frontit, duke kaluar të gjithë kufijtë, për të prekur një tjetër realitet, gazetari Julian Kasapi dhe operatori Endrit Myftari, u zhytën në misterin e asaj që sot e quajmë Covid-19. U bënë pjesë e heshtjes së korridoreve që dikur gëlonin me familjarët e atyre që lëngonin në shtrat, por korridoret këtë herë janë bosh. Edhe dyert, janë të mbyllura. Madje nëse njëra prej tyre është lënë hapur, tensioni bëhet edhe më i madh.

“Këtu jemi në shërbimin e urgjencës në Spitalin Infektiv, ku bëhet paraqitja e parë e pacientit, i cili dyshohet ose është i konfirmuar që është me Covid-19. Ky është stacioni i parë që bën pacienti. Kemi dhoma të izolimit të paracaktuar dhe një person që pret në mënyrë të vazhdueshme pacientët. Ne kemi një personel të shtuar”, tregon Najada Çomo, shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT.

Jemi në katin e parë të infektivit aty, ku nuk ka të intubuar, por ka të sëmurë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Drejtoresha e Infektivit tregon korridoret e parrezikshme, ndonëse A2, ashtu sikurse edhe ata, kanë marrë përsipër të jenë në këtë mision, jo për të shëruar të lënguarit, por për të treguar rrezikun që i kanoset çdo shqiptari nëse nuk bën kujdes ndaj armikut të padukshëm, për të treguar disa të vërteta.

Dhe e vërteta që mund të tregojmë është një tjetër rrugëtim, me ashensorin që pastrohet për çdo lëvizje që kryen në këtë godinë. Ekipi mjekësor, që endet këtyre shtigjeve bashkë me virusin, na tregon gjithçka dinë dhe me çfarë po luftojnë.

Por, përtej përpjekjes së tyre, misionarët e veshur me të bardha, i kanë direktivat e qarta. Ne nuk mund të vizitojmë të sëmurët, dhe shtigjet tona të lejueshme për t’u vizituar ishin korridoret e heshtura me dyert që mbylleshin njëra pas tjetrës. Të njëjtët persona që mundën të shkonin në vijën e luftës në Siri, me të njëjtin guxim, sot hynë në derën që iu premtua e hapur. Julian Kasapi dhe Endrit Myftari ishin aty për të rrëfyer një realitet që të zhyt sërish në heshtjen e një lufte që A2 mund ta sjellë si një dritare të së vërtetës, edhe kur çdo derë është e mbyllur.