LDK-ja nënshkruan marrëveshje me AAK-në për bashkëqeverisje

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje. Ujdia u nënshkrua pas takimit të zhvilluar mes dy kryetarëve të partisë,  Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

Ish-kryeministri Haradinaj zbuloi ndarjen e portofoleve dhe emrat e ministrave të propozuar. AAK do të ketë 4 ministri dhe gjithashtu zëvendëskryeministrin e parë, post për të cilin propozohet Besnik Tahiri. “Aleanca në këtë qeveri mban përgjegjësi, për politikën e jashtme, Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Drejtësisë, të Zhvillimit Ekonomik dhe të Arsimit, janë zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, pastaj ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj, nuk është e familjes time, ministri i Drejtësisë Selim Selimi, ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuqi, si dhe Ramë Likaj do të jetë ministër i Arsimit”, tha Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, tha se tani pritet që Lidhja Demokratike e Kosovës të finalizojë edhe marrëveshjet me partitë tjera para se të nisin procedurat në kuvend për formimin e qeverisë. Por, sipas tij, shumë shpejt do të lëvizet drejt vendimit dhe votimit në kuvend për qeverinë e drejtuar nga LDK.

Qeveria, pjesë e së cilës pritet të jetë edhe nisma social-demokrate, lista Serbe dhe AKR, duhet të sigurojë 61 vota në parlament. Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të 6 tetorit ka kërcënuar të çojë në Gjykatën Kushtetuese formimin e qeverisë së re.