Mbi 1 milion të prekur në SHBA, Covid-19 ka marrë më shumë jetë sesa lufta në Vietnam

Përditësuar më: 29/4/2020, ora 13:41

Mbi 1 milion të prekur në SHBA, Covid-19 ka marrë më shumë jetë sesa lufta në Vietnam

Përditësuar më: 29/4/2020, ora 13:41

Më shumë amerikanë kanë humbur jetën në dy muajt e fundit sesa përgjatë dy dekadave të luftës në Vietam. Konstatimi tragjik, që nxjerr në pah impaktin shkatërrues të pandemisë së Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, vjen ndërsa vendi konfirmon më shumë se 58 300 viktima nga virusi pandemik.

Personat e infektuar janë tashmë mbi 1 milion dhe përbëjnë një të tretën e popullsisë globale të prekur nga koronavirusi. Panorama bëhet edhe më e zymtë, ndërsa këshilltari më i lartë i shëndetësisë në Shtëpinë e Bardhë, mjeku Anthony Faucci paralajmëroi se pandemia është ende larg fundit: “Është e pashmangshme që virusi të kthehet e madje mund të mos zhduket fare gjatë verës. Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë një vjeshtë të keqe nëse shkencëtarët nuk gjejnë një trajtim efikas”. 

Dy faktorë që justifikojnë numrin e lartë të rasteve në Shtetet e Bashkuara janë popullsia e lartë prej 330 milionë banorësh dhe numri i madh i testeve që po kryhen. Vendi ka testuar 5,7 milionë vetë në dy muaj dhe, siç tha presidenti amerikan Donald Trump, pritet që së shpejti ta çojnë numrin në 5 milionë teste në ditë.

“E vetmja arsye që Shtetet e Bashkuara kanë mbi 1 milion raste me koronavirus është pasi ne po testojmë shumë më mirë nga çdo vend tjetër në botë. Vendet e tjera janë shumë larg nesh sa i përket testimit”, tha Trump. 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë po mendon të nënshtrojë ndaj testeve edhe pasagjerë të fluturimeve ndërkombëtare. Ndërkaq, presidenti urdhëroi që impiantet e paketimit të mishit të qëndrojnë të hapura për të shmangur një krizë ushqimore. Ai nxiti zbatimin e një ligji të kohës së luftës me Korenë që detyron vijueshmërinë e funksionit të impianteve. Kjo, pavarësisht faktit se 3300 punonjës të industrisë janë infektuar me Covid-19 dhe 20 kanë vdekur.