Opozita proteston në Serbi: Po rikthehen vitet ‘90, po burgosemi 80 orë

Mbështetësit e opozitës në Serbi protestuan nga banesat e tyre duke bërë zhurmë me tenxhere e tiganë, kundër masave shtrënguese të qeverisë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Protesta i ngjau atyre të viteve 1996-1997 kur qytetarët u ngritën ndaj vjedhjes së zgjedhjeve dhe Slobodan Miloseviçit.

Për të parandaluar përhapjen e virusit, qeveria e Aleksandar Vuçiç, po aplikon disa masa shtrënguese që përfshijnë kufij të mbyllur, izolim total gjatë orëve të natës dhe gjatë ditëve të festave kombëtare.  

“Janë rikthyer vitet ‘90, madje më keq, ndaj dhe ne iu rikthyem kësaj forme proteste. Edhe vitin e kaluar pati disa tentativa për të bërë një gjë të tillë, por tashmë njerëzve u është sosur durimi me këtë izolim, me këtë burgosje për 80 orë”.

Qeveria ka filluar të lehtësojë ngadalë kufizimet pasi u vu re një ngadalësim i përhapjes së virusit në vend, por bëri me dije se do të lërë në fuqi mbylljen totale gjatë festës së 1 Majit. Deri më tani, Serbia ka raportuar 168 vdekje nga Covid-19 dhe 8,497 persona të infektuar.