Pandemia në rajon, 10 raste të reja në Kosovë, 3 viktima në 24 orë në Maqedoninë e Veriut

kosova koronavirus viktima pare 1100x620

Kosova raportoi vetëm 10 raste të reja me Covid-19 të martën, më pak nga ditët paraardhëse. Pozitive edhe të dhënat sa i përket të shëruarve, ndërsa 31 qytetarë e fituan betejën me koronavirusin. Në vend numërohen gjithsej 790 persona të infektuar dhe 22 viktima.

Përballë kritikave për numrin e ulët të testimeve, autoritetet pranuan se nuk ka mjaftueshëm teste për të gjithë popullsinë.

Bilanc i hidhur në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet raportuan 3 jetë të humbura në 24 orë. Bëhet fjalë për dy pacientë nga Kumanova dhe një nga Shkupi. Në total, koronavirusi ka marrë 74 jetë njerëzish, ndërsa të prekurit janë mbi 1400.

Në Serbi, virusi ka prekur mbi 8 mijë e 700 vetë e ka shkaktuar 173 viktima. Mbi 2500 janë të prekurit në Greqinë fqinje, ndërsa viktimat 138.