Parashikimi i Bankës Botërore: Ekonomia shqiptare do të tkurret këtë vit 5-6,9%

Nga A2 CNN
29 Prill 2020, 12:38 | Ekonomi

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka Botërore bën parashikimin e zymtë për ecurinë e ekonomisë shqiptare këtë vit. Institucioni financiar ndërkombëtar vlerëson se ekonomia shqiptare do të bjerë si pasojë e koronavirusit me 5%. Ky është parashikimi për skenarin bazë, pasi nëse kriza zgjat në kohë, atëherë tkurrja e ekonomisë shqiptare mund të arrijë deri në 6.9%.

Skenaret e rritjes reale të PBB

Vlerësimet e reja u bënë në Raportin Ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti ka vlerësuar ndikimin e COVID-19 në ekonomitë e rajonit. Në të theksohet se të gjashta vendet e Ballkanit do të bien në recension dhe qeveritë duhet të marrin masa për të përballuar efektet e koronavirusit. Banka Botërore vlerëson se ekonomitë e rajonit ishin të brishta edhe përpara përhapjes së virusit. Për sa i përket Shqipërisë, në raport theksohet se i goditur do të jetë tregu i punës.

Duke qenë se ai është i bazuar në nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punësimit informal, ekziston rreziku i shkatërrimit të vendeve të punës. Së dyti, rëndësia që ka sektori i turizmit për ekonominë e Shqipërisë, e bën më të ndjeshëm ndaj ndikimit ekonomik të krizës krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Së treti, mbështetja e politikës fiskale është thelbësore për të ndihmuar sektorin privat për të përballuar krizën, por vendet e rajonit nuk kanë hapësirë të mjaftueshme fiskale për masa të reja. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Kosovën dhe Shqipërinë.

Banka Botërore vlerëson se dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese: tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19 kanë ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë shqiptare. Nëse shumica e aktiviteteve ekonomike mund të rinisin në fillim të verës, sipas raportit rritja vjetore e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar pritet të tkurret me 5% për vitin 2020. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos