Krasniqi: Koronavirusi “zbehu” Reformën në Drejtësi. E pashembullt që institucionet kryesore të drejtësisë të mos veprojnë

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:30

Krasniqi: Koronavirusi “zbehu” Reformën në Drejtësi. E pashembullt që institucionet kryesore të drejtësisë të mos veprojnë

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:30

Presidenti Ilir Meta është rikthyer në sulm ndaj Ardian Dvoranit. Pas emërimit të 3 anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve, presidenti sjell në vëmendje përfundimin prej kohësh të mandatit të Dvoranit si anëtar i kësaj gjykate, detyrimin për t’u larguar për shkak se tashmë ka kush e zëvendëson nga anëtarët e rinj.

Opinionisti i A2, Afrim Krasniqi, duke komentuar këtë situatë, theksoi se në politikën shqiptare ka ndodhur një ndryshim i madh nga pandemia e Covid-19.

“Së pari, Reforma në Drejtësi nuk është më prioritet dhe askush nuk flet për të. Nuk kemi as akte konkrete në mbështetje të saj. Së dyti, ka ndodhur ndryshimi që për herë të parë kemi 3 anëtarë të rinj në Gjykatën e Lartë, kur deri dje ishte vetëm një anëtar. Në rrethana të tilla duhen rishikuar shumë gjëra, përfshirë edhe mandati i anëtarit i cili ka rreth 15 vjet në detyrë, duke qenë zyrtari shqiptar me mandatin më të gjatë në historinë e tranzicionit në Shqipëri. Presidenti ka të drejtë në shqetësimin e tij dhe mendoj që KLGJ-ja duhet të kishte një sjellje shumë më institucionale ndaj rastit sepse ne kemi mësuar në auditore apo në libra se demokracia, shteti ligjor, funksionimi i një shteti, nuk është gjithmonë procedurë, lidhet edhe me integritetin, parimet dhe normat. Në këtë rast, shohim që integriteti, parimet dhe normat janë nënvlerësuar tërësisht, duke i dhënë prioritet procedurës teknike. Zoti Dvorani nuk ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin, ai ka qëndruar në detyrë përsa kohë ia ka lejuar Kushtetuta dhe ligji, për shkak se nuk ka qenë i zëvendësuar, madje i ka bërë shërbim vendit në momentin që e ka lënë Gjykatën Kushtetuese me një adresë, me një person i cili funksiononte duke qenë anëtar i vetëm i kësaj gjykate. Por, në momentin kur është plotësuar me 3 anëtarë të rinj gjykata, çdo ditë e mëtejshme qëndrimi në detyrë, personalisht e shoh të gabuar dhe mesazh të gabuar për Reformën në Drejtësi sepse të gjithë kemi thënë që kjo reformë do të sjellë një sjellje krejt tjetër të institucioneve ndaj drejtësisë dhe në rastin konkret kemi përdorim të normave teknike, me argumentin që KED-i është zgjedhur në dhjetor dhe ka mandat 1-vjeçar dhe të gjithë anëtarët e KED-it do të duhet të vazhdojnë funksionin 1-vjeçar. Në rastin konkret nuk mendoj që vlen ky argument, për më tepër që KED-i në përvojën e vitit të kaluar dhe nga opinioni i paraqitur tashmë në mënyrë informale nga Komisioni i Venecias ka marrë një vlerësim negativ për punën e tij, duke na prodhuar një krizë të re kushtetuese dhe politike në Shqipëri”, tha Krasniqi.

Sipas tij, “muajt e fundit, vetëm Ambasada Amerikane është investuar në çështjet e drejtësisë”.

“Është e pashembullt që institucionet kryesore të drejtësisë të mos veprojnë, i kanë të gjithë mekanizmat për të qenë funksionalë. Një numër aktesh që duhet të kishin dalë me kohë janë tërësisht të pajustifikuar në vonesën e tyre administrative dhe në drejtësi, çdo vonesë, çdo akt i munguar do të thotë se ka një interes nga pas, ka një palë që përfiton dhe gjithmonë në drejtësi nuk përfiton shteti i së drejtës, por individë, grupe dhe interesa të caktuara”, shtoi Krasniqi.