Kriza socio-ekonomike, italianët kërkojnë mbështetjen e qeverisë

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 18:56

Kriza socio-ekonomike, italianët kërkojnë mbështetjen e qeverisë

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 18:56

4 ditë para se Italia të nisë lehtësimin gradual të kufizimeve, qytetarët rreth vendit janë gjithnjë e më të frustruar nga problemet sociale dhe ekonomike që gjeneruan 2 muajt e karantinës.

Mjekët dhe infermierët në Torino manifestuan jashtë spitalit të tyre të enjten, lidhur me mungesën e pajisjeve mbrojtëse për punonjësit që janë në vijën e parë të betejës me Covid-19.

“Heronj në titujt e gazetave, por të trajtuar si lypës”, lexohej në një prej banerave, ndërsa në një tjetër shkruhej: “ndoshta jo gjithçka do të shkojë mirë”, në një referencë ndaj frazës që u bë simbol përreth Italisë. Ndërkaq, në Romë, një numër i vogël punonjësish protestuan jashtë pallatit Chigi, ku është zyra e kryeministrit, për të kërkuar mbështetje financiare nga qeveria, në pamundësi për të shlyer qiratë apo kreditë.

“Jemi këtu për të thyer heshtjen lidhur me situatën. Jemi treguar të përgjegjshëm e kemi qëndruar në shtëpi gjatë 2 muajve të fundit. Por problemet sociale po shtohen dhe premtimet e qeverisë nuk po materializohen”, shprehet Luca Faggiano, protestues.

Në një fjalim në parlament, i ndërprerë për shkak të kundërshtive të opozitës ndaj faktit se kryeministri italian nuk mbante maskë, Giusepe Konte tha se do të zbuste gradualisht masat, duke marrë në konsideratë dallimet në nivelin e transmetimit të virusit në rajone të ndryshme. I pari i ekzekutivit Romës tha se një paketë për stimulimin e ekonomisë që do të prezantohej në pak ditë, do të përfshinte 15 miliardë euro për kompanitë, ndërsa 25 miliardë do të shkonin direkt për pagat e punonjësve dhe të vetëpunësuarit. Megjithatë, kryeministri paralajmëroi rajonet të mos i hiqnin kufizimet në mënyrë të një anshme, pa konsultime.