Përfunduan misionin në Itali, Manastirliu pret mjekët shqiptarë: Jeni heronjtë modernë të Shqipërisë

Përditësuar më: 1/5/2020, ora 00:23
Untitled collage 72 1024x576

Përfunduan misionin në Itali, Manastirliu pret mjekët shqiptarë: Jeni heronjtë modernë të Shqipërisë

Përditësuar më: 1/5/2020, ora 00:23

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka pritur mbrëmjen e së enjtes në aeroportin e Rinasit ekipin e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që qëndruan për një muaj në Itali për të ndihmuar kolegët e tyre në luftën përballë pandemisë së koronavirusit.

Manastirliu falënderoi mjekët dhe infermierët për punën e tyre në Itali dhe shtoi se ata kanë gdhendur një faqe të re të historisë së miqësisë mes dy vendeve.

“Jam e emocionuar sot më shumë se ditën që ju përcollëm. Kishim shumë përgjegjësi për ju që do të shkonit aty dhe do të ishit në vijën e parë të luftës. Një muaj më parë gjendja në Itali ishte më e vështirë edhe përballja juaj po ashtu. Di që keni bërë një punë të lavdërueshme dhe keni lënë mbresa te stafi i spitalit të Brescias dhe pacientët. Keni gdhendur një faqe të re të historisë mes dy vendeve”, tha Manastirliu.

Mjekët dhe infermierët shqiptarë qëndruan për 30 ditë në rajonin e Brescia-s, që njihet tashmë dhe si një nga zonat më të prekura nga koronavirusi në vendin fqinj. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk rezultoi i prekur me Covid-19 në fund të misionit humanitar.

Vendimi për të dërguar mjekë dhe infermierë në Itali shkaktoi shumë bujë në shtetin e BE-së në fundin e marsit, pasi deri në ato momente askush nga vendet e unionit nuk kishte ofruar për të.

Megjithatë gjatë ditës së sotme, një lajm jo i mirë erdhi nga Italia, ku mediat raportuan se policia e Brescia-s kishte gjobitur disa nga këta mjekë dhe infermierë të cilët kishin thyer masat e distancimit sociali dhe ishin kapur në dhomën e hotelit duke festuar përfundimin e misionit të tyre.