Prej një jave asnjë rast i ri në Kukës, optimizëm për izolimin e Covid-19

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:01

Prej një jave asnjë rast i ri në Kukës, optimizëm për izolimin e Covid-19

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:01

Qyteti i Kukësit, duket se ka arritur të vërë nën kontroll dhe të ndërpresë zinxhirin e transmetimit të Covid-19.

Prej disa ditësh me radhë në këtë qytet nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus. Edhe katër testet e fundit kanë rezultuar negative. Vatra në Kukës deri me tani po duket se po izolohet duke mbetur në kuotën e 18 të prekurve, nga të cilët  deri më tani 10 janë të shëruar dhe të karantinuar në shtëpitë e tyre.

Sipas Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, aktualisht numri aktiv i të infektuarave me koronavirus në qytetin e Kukësit është 5 persona. Vetëm një prej tyre është i shtruar në  Spitalin Covid 1 në Tiranë. Sakaq, në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa simptoma janë edhe 6 policët e infektuar tashmë të izoluar në pritje për t’iu nënshtruar testimeve përfundimtare ndërsa janë shëruar 5 punonjësit e personelit shëndetësor të spitalit të Kukësit të infektuar më herët.

Me shfaqjen e rasteve të para në Kukës u zhvilluan mbi 200 teste, por fatmirësisht deri më tani duket se gjithçka flet me shenja optimizmi për të dalë edhe Kukësi nga harta e Covid-19. Në kuadër të masave për disiplinimin e lëvizjeve dhe zbatimin e masave parandaluese, në Kukës prej disa ditësh policia vendore po bën operimin në terren me dron, për identifikimin e personave që thyejnë karantinën apo orarin e shkeljes së ndalimqarkullimit.