Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për krijimin e qeverisë së re në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit emrin e Avdullah Hotit nga LDK për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Thaçi mori një letër më parë nga LDK, e cila informonte presidentin se kishte siguruar shumicën parlamentare të nevojshme për krijimin e qeverisë, gjë e cila ishte kërkuar më parë nga kreu i Shtetit.

“Në ditët në vijim një tjetër qeveri e re, mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe zotimin që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare”, tha ai.

Sipas dekretit Avdullah Hoti ka 15 ditë afat për të paraqitur përbërjen e qeverisë së re dhe të kërkojë miratimin e saj në parlamentin e Kosovës.

Pas dekretimit, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi kërkesën që parlamenti i Kosovës të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme ditën e shtunë për të votuar kabinetin e zotit Hoti.

Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar që nga fillimi këtë proces. Që pas rrëzimit të qeverisë në Kuvend, ajo ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, menjëherë sapo vendi të lirohet nga pandemia.