Raporti i BSH: Bien të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve
Familjet shqiptare u varfëruan gjatë vitit të kaluar, konsumi ra thellë, ndërsa papunësia u shënua në rritje. Të dhënat kontradiktore me ato që deklaron Instituti i Statistikave vijnë nga një tjetër institucion zyrtar, Banka e Shqipërisë.
Sipas vrojtimit mbi gjendjen financiare të familjeve për gjysmën e dytë të 2019, numri i pjesëtarëve të punësuar apo vetëpunësuar u ul me 7.9% krahasuar me një vit më parë. Kjo situatë shtyu një numër më të madh individësh drejt emigracionit për të siguruar të ardhura.
Kështu, gjatë 2019-ës indeksi i të ardhurave shënoi rënie me 3%, shoqëruar me një rënie më të theksuar të shpenzimeve, që ranë në nivelin më të ulët prej vitit 2017.
Anketa e Bankës së Shqipërisë analizon edhe huamarrjen e familjeve shqiptare, ku vihet re një rritje e pjesës që morën borxh nga persona të njohur apo që blenë me lista në dyqanet ushqimore. Sa i takon pritshmërive, të anketuarit deklaruan se presin një përkeqësim të aftësisë së tyre paguese për vitin 2020.