“Të ndahemi me oligarkinë, qytetarëve u kthyem shpinën”

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:26

“Të ndahemi me oligarkinë, qytetarëve u kthyem shpinën”

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:26

Partia Socialiste duhet të ndahet me oligarkinë! Me këtë thirrje, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i kërkoi Parlamentit të mos e votojë ndryshimin në kontratën koncesionare për portin e hidrokarbureve në Durrës.

“Nuk kemi asnjë tagër, as si mazhorancë dhe as si Kuvend, që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re. Po synohet me këtë kontratë që portit të hidrokarbureve t’i ndryshohet në thelb objekti”, tha Bushati. “Çfarë duam të bëjmë, një realitet si Dhërmiu dhe Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona? Ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga, energjia dhe uji? Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelën çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por ne duhet të ndahemi me oligarkinë”.

“Nuk duhet të bëhemi si Partia Demokratike, që ditën të vajton dhe natën i shkel syrin oligarkëve duke vënë gjoba. Por nuk kemi pse t’i japim bonus as Presidentit të Republikës, që të dalë si garant i mbrojtjes së publikes. Interesin e publikes duhet ta mbrojmë ne, ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Ne jemi partia që na kanë votuar në vitin 2013 dhe kemi ardhur me një program në këtë Kuvend dhe kemi thënë ‘do t’i anulojmë koncesionet’…”, shtoi Bushati.

Por pavarësisht apelit të tij, Parlamenti e miratoi ligjin me 83 vota pro, 14 kundër dhe 4 abstenim.