Turizmi ‘’mundon’’ Evropën, shtetet pa një plan të qartë për udhëtimet dhe pushimet

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:15

Turizmi ‘’mundon’’ Evropën, shtetet pa një plan të qartë për udhëtimet dhe pushimet

Përditësuar më: 30/4/2020, ora 15:15

Gjermania zgjat kufizimin për udhëtimet ndërkombëtare. Vendi po hedh hapa të kujdesshëm drejt zbutjes së masave për frenimin e pandemisë, e që prej javës së kaluar ka lejuar rihapjen e dyqaneve e shkollave për më të vegjlit.

Por në atë që u pa si goditje e rëndë për turizmin, autoritetet zgjatën paralajmërimin kundër udhëtimeve jashtë vendit deri më 14 Qershor.

 “Kabineti vendosi sot se kufizimet për udhëtimet globale për qëllime jothelbësore apo për pushimi do të zgjaten deri më 14 qershor. Është një vendim të cilin duhej ta merrnim, pasi lufta kundër pandemisë nuk ishte në fazën kur mund të rekomandohet udhëtim të sigurt”, deklaroi Heiko Maas, ministri i Jashtëm gjerman.

Pronarët dhe punonjësit e agjencive të udhëtimeve dolën nëpër rrugë në 30 qytete për të kërkuar mbështetjen e shtetit gjatë krizës. Shoqata e operatorëve turistikë raporton 4.8 miliardë euro humbje. Tkurrja e ekonomisë deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 6.3 përqind me ministrin Petër Atlmaier që foli për recesionin më të rëndë në historinë e republikës federale.

Qeveria Merkel po tregohet tejet e kujdesshme me rihapjen, ndërsa rastet e reja kanë shënuar rritje për 4 ditë radhazi. Turizmi kontribuon me 10 përqind të të ardhurave të Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare janë nën trysni për të rikthyer lëvizjen brenda e jashtë vendit.

 Kroacia kërkon krijimin e korridoreve për turistët mes vendeve të BE-së, me epidemiologët që do të vendosin rregullat e lëvizjes. Ka raportime se turistët çekë do të lejohen në Kroaci në korrik dhe gusht. Austria, mund të aplikojë një rikthim me faza në aktivitetin turistik, që nis me lejimin e vizitorëve gjermanë.

Në Spanjë, hotelet do të rihapen nga 11 maji me rregullat e distancimit social, por shoqata e biznesit të hotelerisë në Madrid proteston se klientët e kanë të pamundur të vijnë për shkak të mbylljes së kufijve dhe mungesës së fluturimeve.

Dalja e Francës nga izolimi pritet të nisë më 11 maj, por udhëtimet deri në 100 km do të lejohen vetëm për arsye familjare apo profesionale. Sa i përket plazheve, nëse do të rihapen, qasje mund të kenë vetëm vendasit. Franca thotë se nuk do të mund të shkohet në det të paktën deri në qershor, e të njëjtën gjë po mendon edhe Spanja.