COVID-19 rrit “armatën” e të papunëve

Publikuar më: 1/5/2020, ora 16:49

COVID-19 rrit “armatën” e të papunëve

Publikuar më: 1/5/2020, ora 16:49

Impakti i Covid-19 mbi gjendjen e kompanive ka detyruar shkurtimin e mijëra vendeve të punës, duke e çuar numrin e të papunëve në nivelin më të lartë të të paktën 4 viteve të fundit.

Sipas ekspertit Erion Muça, situata është edhe më shqetësuese për shkak të largimeve të punonjësve në të zezë. “Është një moment i vështirë pasi ka frenuar shumë kompani në investimet strategjike që kishin planifikuar, çka nënkupton automatikisht edhe reduktim të vendeve të punës dhe vendeve të reja. Ata kanë preferuar të mbingarkojnë punonjësit aktualë se sa të plotësojnë pozicionet vakante me kandidatë të rinj”.

Në kuadër të 1 majit, Muça bën një apel për punëdhënësit, për të respektuar marrëdhëniet e punës, në mënyrë që edhe rimëkëmbja të mos bëhet më e vështirë.

“Do të duhet t’i japim një apel shumë të fort punëdhënësve, kompanive dhe atyre personave që sot kanë në dorë fatin e punëtorëve, për të ridimensionuar dhe rregulluar marrëdhëniet e punës, jo vetëm ato ligjore, jo vetëm ato profesionale, por edhe ato njerëzore. Që në një moment të dytë kjo të ndikojë në më shumë rezultate për rritje të aktivitetit të biznesit”. Sipas ekspertit, ndikimi i krizës shëndetësore në tregun e punës do të mund të përcaktohet qartë vetëm pas hapjes së ekonomisë. Megjithatë efekti negativ do të kërkojë kohë për t’u kapërcyer, ndërsa vetë tregu do të duhet të orientohet drejt profesioneve digjitale që mund të kryhen edhe nga shtëpia.