Vendimi i Kushtetueses për të pezulluar dekretin e Thaçit, reagon politika kosovare

Untitled collage 76 1100x620

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar deri më 29 maj dekretin e tij që i mundësonte Avdullah Hotit krijimin e qeverisë së re. Kreu i shtetit deklaroi se do ta respektonte këtë vendim dhe ftoi të gjitha subjektet e tjera politike të bënin të njëjtën gjë.

“Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook.

Qeveria në detyrë e Albin Kurtit e përshëndeti vendimin e Kushtetuese për të pezulluar dekretin, por shtoi se ai nuk është përfundimtar. Sipas saj ky vendim është në të mirë të drejtësisë dhe interest publik.

“Megjithatë është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pretendonte se të shtunën do të formonte qeverinë e saj të drejtuar nga Avdullah Hoti u shpreh gjithashtu se do të respektojë vendimin e Kushtetueses për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj.

“LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re”, njofton LDK përmes një deklarate.