Albin Kurti kërkon zgjedhje të reja më 14 qershor

kurti1 1100x620

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të pezulluar dekretin e presidentit Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për krijimin e qeverisë së re, kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti ka dalë me një kërkesë të re.

Kurti, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se nuk ka rrugë tjetër, dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakoshme që sipas tij, data më e mirë e mundshme, e kushtëzuar dhe nga pandemia e koronavirusit, është 14 qershori.

“Pas LVV, tash edhe PDK u shpreh për zgjedhje të reja në Kosovë. Dihet se qeverinë e re të synuar nga presidenti nuk e përkrah as kryeparlamentarja si dhe disa deputetë të tjerë. Ky është një argument shtesë që veçse në zgjedhje duhet të shkojmë. Ndërkohë, masat ndaj pandemisë COVID-19 po zbuten ca. Neve si LVV do të na konvenonte e diela e 14 qershorit 2020 për zgjedhje”, shkruan Albin Kurti.

Por LDK e ka kundërshtuar menjëherë këtë kërkesë të kryeministrit në detyrë duke përforcuar qëndrimin se nuk ka asnjë motiv që vendi të shkojë në zgjedhje duke qenë se ajo i ka numrat e nevojitur për të krijuar qeverinë e re.