Kriza e koronavirusit, rritet me 63% importi i grurit
Kriza e koronavirusit ka rritur në nivele rekord importin e grurit. Sipas të dhënave nga Porti i Durrësit, që nga fillimi i muajit mars kur filluan të aplikoheshin masat e para të sigurisë shëndetësore, importi i grurit në portin më të madh të vendit u rrit me rreth 63 për qind. Kështu që në mars u importuan 26.170 ton grurë nga 17 mijë ton të importuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa në total, duke përfshirë edhe prillin, janë përpunuar mbi 45 mijë ton grurë gjithsej për grurë.

Burime nga Qendra e Informacionit në Portin e Durrësit bëjnë të ditur se sot po shkarkohen dy anije me grurë me një sasi të përgjithshme prej 13 mijë ton, ndërsa në dy ditët e ardhshme priten edhe dy anije të tjera me 8.600 gjithsej.
Rritja e importit të grurit shpjegohet me rritjen e kërkesës në vend, kryesisht nga fabrikat e përpunimit. Kjo pasi për shkak edhe të kufizimit të lëvizjeve, si pasojë e emergjencës shëndetësore të COVID-19, konsumi i bukës është rritur.