Spektakël virtual për fëmijët në karantinë, protagonistë janë kafshët e tyre të dashura

Për javë të tëra, fëmijët japonezë kanë mbetur të mbyllur në shtëpi, me prindërit të terrorizuar nga mundësia e përhapjes së koronavirusit që vinte nga një qytet kinez gjeografikisht, deri diku përballë vendit të tyre, Wuhani.

Por ndërkohë që në Azi pandemia ka ulur ndjeshëm përhapjen e saj, siguria është gjithsesi në plan të parë. Me 14 mijë raste me COVID-19, dhe vetëm 436 viktima, Japonia nuk mund të tolerojë lehtësime të rrezikshme, për momentin.

Eventet masive janë anuluar, qofshin ato ndeshje futbolli, ose spektakle për fëmijët.

Yokohama Hakkeijima Sea Paradise dhe Maxell Aqua Park Shinagawa janë dy nga parqet ujore më të mëdha në vend, që tërheqin çdo ditë mijëra vizitorë, kryesisht fëmijë që mbeten gojëhapur nga lëvizjet e zgjuara të delfinëve, ato pak të rënda dhe komike të luanëve të detit dhe fokave, ose akrobacitë e pinguinëve, që janë nga kafshët më të duartrokitura nga fëmijët që zakonisht mbushin tribunat e këtyre parqeve.

Në kohë karantine, këto tempuj të argëtimit kanë mbetur të mbyllur, në pamundësi për të argëtuar këdo, dhe me kafshët protagoniste që vërtiteshin më kot, pa kuptuar seç po ndodhte përreth tyre.

Por sot dy parqet e njohura kanë vendosur të bashkohen për një spektakël unik, ku përmes teknologjisë do të sjellin pishinat dhe kafshët lozonjare në shtëpitë e çdo vogëlushi, dhe jo vetëm.

Gazetarët që merrnin pjesë në provat e përgjithshme mundën të admironin vallëzimin e frikshëm të balenave beluga, ose performancën skenike të pinguinëve, që lodronin në një skenë të mbushur me efekte të këndshme ku dominonin qershitë, një nga simbolet e Japonisë.

“Po e bëjmë këtë me shpresën se duke i treguar njerëzve këto performanca, ata të kujtojnë atë që ndodh në parqet tona, si dhe bukurinë e kafshëve që patjetër do të argëtojë të gjithë”, thotë Naoto Takashi, menaxheri i Sea Paradise.

Dhe ndërkohë që koha kur fëmijët do të rikthehen në masë në pishinat  e këtyre parqeve ende nuk është njohur, spektakle të tilla i bëjnë ato të mos harrojnë gjërat e bukura që nuk janë zhdukur, edhe pse ende nuk janë të prekshme.