Libri nuk sëmuret

Tani nuk ka më takime për një libër. Promovimet nuk bëhen me një gotë verë në dorë, ndërsa poezitë nuk ndahen me njëri-tjetrin në mbrëmjet poetike.

Sot, në kohët e një pandemie ku të gjithë janë të detyruar ta përjetojnë vetëm marrëdhënien me librin, promovimet dhe prezantimet e titujve të rinj mund të bëhen kështu.

“Kapitulli i Amerikës” ishte një titull i ri në këtë pauzë që duket se po bënte tregu artistik, e që i sfidoi të gjithë.

Kinematë janë mbyllur, teatrot po ashtu, javën e parë të izolimit edhe libraritë ishin pushim. Veprat do të duhej t’i nënshtroheshin një tjetër dorëzimi, të blerit “online” apo huazimit të librit te një mik me bibliotekë të pasur. Titulli më i ri në shqip që po shëtiste në rrugët e zbrazura të kryeqytetit, për t’u dorëzuar diku, nuk ishte një realitet që zgjati gjatë, sepse libraritë u hapën dhe shqiptarët nga “online”, dolën për të siguruar veprën e radhës.

“Kapitulli i Amerikës” nuk ishte i vetëm titull i botuar këto kohë të vështira. Madje ka nga ata botues që shtëpisë së tyre artistike, përtej një prej librave më të kërkuar të kësaj periudhe, kërkojnë të pasurojnë raftet e librarisë së tyre edhe me të tjera vepra të lakmuara këto kohë.

Përvoja e leximit këto kohë në fakt ka qenë sa dedikuese, por aq edhe e varfër. Disa pranojnë se nuk kanë mundur të lexojnë, të tjerë që kanë zgjedhur të lexojnë vepra voluminoze të cilat më herët kërkonin kohë, të cilën nuk e kishim.

Ka nga ata që i janë rikthyer rileximeve, si unë, por edhe të tjerë që kanë zgjedhur librat e fëmijëve, libra që shumë prej nesh në fëmijërinë tonë nuk i ka pasur.

E vështirë apo jo edhe këtë kohë, libri na qëndroi pranë, si asnjëherë. Sepse ai nuk ka nevojë për shumë shokë, sepse në botët ku udhëton mund të gjesh pafund miq e armiq imagjinarë, nga ata që mund t’i mundësh e nga ato heronj të cilët ëndërron t’i takosh.