Artistët në karantinë, Kumbaro: Duhet mbështetje financiare për kulturën

Mirela Kumbaro, ish-ministre e Kulturës, e cila në fjalimin e saj të fundit në Kuvend, tërhoqi vëmendjen te rëndësia e artit dhe kulturës, që u bënë edhe më të dukshme në këto kohë pandemie.

Kumbaro kërkon më shumë ndihmë ekonomike për artin, temë për të cilën ajo diskutoi teksa ishte në një lidhje në Dita Jonë mëngjesin e së hënës.

“Unë e kam shqetësimin për një sektor, për të cilin flitet shumë pak, që është kultura. Nuk e kam thjesht për shkak të detyrës që kam ushtruar, ajo që mua më shqetëson është se, shumë mirë, po e përdorim, po dëgjojmë muzikë, shikojmë filma, po lexojmë, por kam frikë se po përdorim kulturën vetëm si anestezi. Ditën që do të dalim nga kjo gjendje, do të duhet që kulturën ta kemi në kontakt të drejtpërdrejtë në salla, në kinema, nuk është thjesht anestezia që përdorim për të kaluar këtë mërzitje. Nga ana tjetër, është një kategori profesionale të cilët nuk janë trajtuar në mënyrë sektoriale. Edhe në ligjërimin publik, ata nuk përmenden, por nuk janë luks”, u shpreh Kumbaro.

Më tej, ish-ministrja e Kulturës theksoi se pret mbështetje nga qeveria. “Shqetësimi im i parë ishte ta ngrenë në tavolinë si çështje dhe tashmë jam e bindur se do t’i vijë radha dhe kësaj kategorie. Duke e diskutuar të gjithë, është një kontribut shumë i mirë. Ndryshimi që iu bë buxhetit, i drejtohej disa kategorive të veçanta. Ajo që dua të tërheq vëmendjen qeverisë është ta fusë në planet dhe riorganizimet e ardhshme të buxhetit. Ju siguroj se pjesa më e madhe e artistëve, ka të rinj artistë, që nuk kanë fare as rroga, por jetojnë me projekte”, u shpreh ish-ministrja e Kulturës.