Kosova lehtëson kufizimet, 84 të vdekur në Maqedoninë e Veriut

Në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të kufizimit për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga e hëna u rihapen sektorët e ndërtimit, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, etj. Po ashtu, nga sot fillon edhe zgjatja e orarit të lëvizjeve së qytetarëve, të cilët do të lejohen të dalin nga 90 minuta paradite e po aq pasdite.

Lehtësimi i masave në Kosovë do të zhvillohet në 3 faza, dhe e fundit nis në 2 qershor me rihapjen e transportit urban, restoranteve, kinemave, teatrove dhe shkollave për maturantët. Vendimit për lehtësim të masave është marrë pas rënies së numrit të rasteve të infektuar me Covid-19.

Bazuar në të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, ka arritur në 851 të infektuar, 25 të vdekur dhe 381 të shëruar. 11 raste të reja u raportuan të dielën.

Më e vështirë situata në Maqedoninë e Veriut, ku çdo ditë raportohen viktima. 2 persona të tjerë humbën jetën në 24 orët e fundit, duke çuar numrin total në 84 vdekje. Rastet e reja ishin vetëm 5. Katër vdekje të reja u raportuan edhe në Serbi, duke e çuar në 193 numrin e viktimave që prej nisjes së pandemisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se gjendja e jashtëzakonshme në Serbi mund të hiqet më 7 maj. “Infektimet e reja janë ulur nën 5 përqind për 7 ditë radhazi, dhe kjo nënkupton më pak njerëz në respirator”, ishin fjalët e Vuçiç.