Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Nis stërvitjen skuadra e parë e futbollit në Itali

Nga A2 CNN
4 Maj 2020, 15:20 | Futboll
Nis stërvitjen skuadra e parë e futbollit në Itali

Menjëherë pas vendimit të qeverisë italiane, që i hapi rrugën stërvitjeve individuale, Sassuolo u bë skuadra e parë e Serie A që rinis përgatitjet në fushë. Lojtarët e ekipit nga krahina e Emilia-Romagna u paraqitën në qendrën stërvitore, për të zhvilluar stërvitje individuale.

Për vetë situatën e krijuar nga koronavirus, rregullat sanitare të vendosura nga klubi ishin mjaft strikte. Futbollistët zbritën në fushë në grupe të vogla, ku të parët që vrapuan në tapetin e gjelbër ishin Rogerio, Magnani dhe Djuricic.

Sipas protokollit shëndetësor, përgatitjet individuale të sportistëve janë ndjekur nga afër vetëm nga një përgatitës atletik. Lojtarët kryen vrapime të shkurtra dhe ushtrime, për të rifituar reflekset e fushës, pas izolimit që në Itali zgjati për më tepër se dy muaj.

Pas Sassuolos, tani do të jetë radha e ekipeve të tjera që të nisin stërvitjet, ku primar në këto momente mbetet distancimi fizik. Radhën do ta kenë Inter dhe Bologna, ndërsa të mërkurën është radha e Lazio-s. Nga skuadrat e tjera, te Roma ka nisur grumbullimi i futbollistëve, të cilët do t'i nënshtrohen kontrolleve mjekësore, përpara se të zbresin në fushë këtë të enjte.

Në momentin kur ekipet e Serie A po përgatiten për të rinisur jetën sportive, shqetësim përbën kosto e vizitave gjatë stërvitjeve apo edhe gjatë kampionatit. Secila prej 20 skuadrave elitare në Itali parashikohet të kryejë 140 tamponë në javë. Kjo bën që në muaj të gjitha ekipet të realizojnë 11200 tamponë në muaj, kosto e të cilëve përllogaritet në mbi 570 mijë euro.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani