Pandemia e koronavirusit, Serbia do t’i japë fund gjendjes së emergjencës

koronavirusi ne serbi 1100x620

Duke parë rënien e numrit të personave të infektuar dhe viktimave si pasojë e pandemisë së koronavirusit, presidentit Aleksander Vuçiç vendosi që brenda kësaj jave t’i japë fund gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, prej së cilës, që prej mesit të marsit janë mbyllur kufijtë dhe aeroportet dhe qytetarët lëvizin vetëm në fasha orare të caktuara, do të ratifikohet në parlamentin e kontrolluar nga qeveria ditën e mërkurë.

Gjatë një interviste për televizionin Pink, Vuçiç tha se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për ta hequr këtë gjendje emergjence.

Serbia deri në këto momente numëron 9464 persona të infektuar me koronavirus dhe 193 viktima, por numri i të prekurve të rinj ka rënë nën 5% nga mijëra testime që bëhen çdo ditë.

Javën e ardhshme në vendin ballkanik do të rinisë shërbimi i trenit dhe autobusëve dhe më vonë dhe fluturimet komerciale. Qendrat tregtare, lokalet dhe restorantet gjithashtu do të rihapin dyert, por me kushtin kryesor për të ruajtur distancën sociale.