Rihapja e ekonomisë. Në maj nisin punën biznese të reja, por xhiroja në krizë
Rihapja e ekonomisë. Në maj nisin punën biznese të reja, por xhiroja në krizë
Tri javët e ardhshme parashikohet një lehtësim i vazhdueshëm i masave të marra në kuadër të pandemisë së koronavirusit. Në zonat e gjelbra nga dita e hëna shtohet thuajse i gjithë jugu dhe lindja e vendit, ndërkohë që pas 11 majit do të mund të ngrenë qepenat disa kategori të reja biznesesh.
Muaji maj do të jetë muaji i rihapjes graduale të ekonomisë shqiptare. Edhe pse në letër kanë mbetur pak aktivitete për t’u hapur, në jetën reale kjo do të thotë rikthim në punë për mijëra persona si berberët, parukieret, pronarët e lokaleve etj.
Lehtësimi ndjek hapjen gjatë javëve të kaluara të “fast-food”-eve, dyqaneve të veshjeve, transportit taksi etj. Por, pavarësisht se tashmë kanë dalë në punë, këto biznese deklarojnë një rënie dramatike të xhiros.
“Hapja ishte e nxituar sepse ka disa sanksione. Po nuk u hapën të tjerët, ne do të vazhdojmë të mos bëjmë asnjë rrugë. Nuk lajmë dot as taksat. Javën e kaluar nuk kemi pasur pothuajse fare punë gjithë ditën, deri në orën 17:30. Shkollat jo, lokalet jo, aeroporti jo, qendrat tregtare jo, kush do të vijë të hipi në taksi?”, shprehet një taksist.
Bizneset si lokalet dhe restorantet nga ana tjetër po shfrytëzojnë momentin për të përshtatur ambientet e tyre me rregullat e reja sanitare. Por, shprehen skeptikë për ecurinë e aktivitetit nën këto masa shtrënguese: “Jam pronar i një biznesi bar-restorant, kam 20 punëtorë, 20 familje që hanë bukë. Mezi po presim që të hapet biznesi. Dhe jo me orar të kufizuar sepse na hap konflikte brenda biznesit duke u thënë punonjësve që gjysma nuk do të punojnë. Njerëzit janë ndërgjegjësuar, çdokush e di se si duhet të ruhet, ne do të marrim masat tona, por të na hapin punën sepse jemi në prag falimenti”.
Qytetarët nga ana tjetër janë të dyzuar për rihapjen e bizneseve, pavarësisht se përfshihen edhe disa shërbime bazike si klinikat dentare dhe parukeritë.
“Është mëse e logjikshme. Sa më ngadalë aq më mirë. Ka mbipopullim nëpër lokale, tavolinat ngjitur”, shprehet një kalimtare.
“Shumë mirë është, të hapen gradualisht të gjitha bizneset”, deklaron një tjetër qytetare.
Megjithë hapjen graduale të jetës, disa masa shtrënguese si distanca e sigurisë apo orari i lëvizjes pritet të qëndrojnë në fuqi. Po ashtu, goditja e mbylljes së ekonomisë për një kohë të gjatë, pritet të shtrijë efektin edhe në vazhdim, duke ndikuar në një rënie të xhiros për sipërmarrjen, e rrjedhimisht më pak të ardhura për qytetarët.