Berisha: Gjithçka ndodh në Kosovë është e lidhur me dosjen “Thaçi” dhe lëkurën e tij

Në intervistën e dhënë në A2, ish-kryeministri Sali Berisha foli edhe për situatën në Kosovë, ku janë shënuar precedentë të rinj edhe në kohë pandemie.

Për ish-kryeministrin e Shqipërisë, gjithçka që është duke ndodhur në Kosovë është e lidhur me dosjen “Thaçi” dhe “lëkurën e tij”.

“Në asnjë rrethanë, unë nuk jam implikuar në problemet e brendshme të Kosovës, e cila në fakt është gjysma e zemrës dhe e shpirtit tim. Janë bërë disa zgjedhje, por ajo që është e vërteta, janë ndjekur procedura kushtetuese. Kosova ka dëshmuar në këto 10 vite një shtet ligjor, atë që në Shqipëri është shkatërruar nga Edi Rama.

Pa pasur dëshirë të futem në problemet e brendshme të Kosovës, unë mund të them se shteti ligjor atje funksionon. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë konsideruar dhe nuk i konsiderojnë shkëmbimin e territoreve dhe të ndryshimit të kufijve. Sipas argatëve të Beogradit, në Prishtinë dhe në Tiranë, gjithçka diktohet nga ndryshimi i kufijve. Kush gënjen tani? Unë nuk besoj se përfaqësuesit e SHBA-së gënjejnë. Gënjeshtrat këtu i përsërit ‘Trojka’ sepse kjo është marrëveshja që Miladini shqipfolës, me ndërmjetësimin e Edi Ramës dhe Baton Stanishiqit, ka bërë me Vuçiç dhe kjo marrëveshje është kushtëzuar fund e krye nga dosja “Thaçi”, të cilën e ka fletë për fletë Beogradi. Në besimin tim, gjithçka që zhvillohet është e lidhur me atë dosje dhe për lëkurën e tij. Unë nuk e di që ai të ketë kryer krime, por e di që ai është nën hetim sepse është bazë e ngritjes së Gjykatës Speciale. Unë di që Dick Marty të akuzuar kryesor në raport ka pasur Thaçin. Unë e kam kundërshtuar fort atë raport. Por është ndjekur rruga e plotësimit të kërkesave të Beogradit. Kjo është për mua një gjë e rëndë”, u shpreh Berisha.

“Unë mendoj se shkëmbimi i kufijve do të ishte një ngjarje destabilizuese. Çdo luftë në Ballkan është bërë për ndryshim kufijsh dhe kjo është një luftë me zjarrin. Një problem themelor në këtë proces përfaqëson vetë Miladini shqipfolës, i cili mashtron botën për lëkurën e tij. Sa do të shkojë kjo, unë nuk mund të them, por mbetem i bindur se shkëmbim territoresh nuk do të ketë”, u shpreh Berisha.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 10 viktima në 24 orët e fundit, 753 në total
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 656 raste në 24 orët e fundit, 35600 në total
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 321 të shëruar në 24 orët e fundit, 17352 në total