Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Sa fëmijë janë infektuar nga koronavirusi në Shqipëri? Shefja e Infektivit të Pediatrisë zbulon shifrën për A2

Nga A2 CNN
5 Maj 2020, 19:17 | Aktualitet
Sa fëmijë janë infektuar nga koronavirusi në Shqipëri?

Gjeorxhina Kuli, shefe e Infektivit të Pediatrisë dhe njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik kundër Covid-19, ka zbuluar për “Ditari” në A2 numrin e fëmijëve të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.

“Janë 32 fëmijë në total që janë prekur nga koronavirusi. Nga këta, disa janë shëruar. Nuk ka fëmijë të shtruar në spital. Ata që janë aktualisht të prekur nuk kanë simptoma”, tha Kuli.

“Asnjëri nuk ka pasur komplikacione në rrugët e frymëmarrjes”, shtoi Kuli.

Kur u pyet për rastet me sindromën Kavasaki mes fëmijëve, Kuli tha: “Sëmundja Kavasaki është një sëmundje që është lidhur me infeksione streptokoksike, më pas me mikrobaktere dhe me koronaviruse të tjerë. Së fundi, u radhit edhe SARS-COV-2. Por, ende nuk është gjetur shkaktari direkt i kësaj sëmundjeje, që është inflamacion i mureve të enëve të gjakut me kalibër të mesëm. Ky quhet vaskulit dhe manifestohet me temperaturë të lartë që zgjat mbi 5 ditë, e shoqëruar me skuqje sysh, prishje të mukozës së gojës, me rrjepje përreth gishtave, me puçrra në lëkurë që ngjajnë me fruthin dhe me enjtje të duarve dhe këmbëve. Ne kemi pasur fëmijë me këtë sëmundje edhe më parë, kemi që në vitin 1995 që në vendin tonë janë diagnostikuar rreth 30 fëmijë, të gjithë të shëruar. Nuk ka analizë specifike për sëmundjen Kavasaki, por është diagnozë klinike që duhet ta mbështesësh mbi këto të dhëna dhe të përjashtohen një pjesë e mirë e infeksioneve që shkaktojnë këtë klinikë. Momentalisht, nuk kemi pasur asnjë fëmijë me këtë sëmundje, jo vetëm të lidhur me këtë sindromë, por në përgjithësi".

Shefja e Infektivit të Pediatrisë bëri edhe një thirrje për nënat: “Grumbullimi duhet shmangur, nënat duhet të shmangin bisedat me njëra-tjetrën, të shmangin grumbullimet nëpër kënde lojrash sepse kontagjioziteti mbetet i njëjtë, pavarësisht se kemi pasur shenja të rënies së ritmit të infeksionit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sidomos tani që kemi më tepër mundësi që të dalim”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani