Si do të ndiheshit po të karantinoheshit me 31 fëmijët tuaj?

Shumë prej nesh po lodhen nga masat strikte të karantinës që na kanë mbajtur mbyllur në shtëpi për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por si do të ndiheshit nëse do të kishit më shumë se 30 fëmijë nën përkujdesje? Melba Jimenez e njeh saktësisht këtë ndjesi, pasi me bashkëshortin e saj, Victor Guzman, kanë qëndruar në izolim për 6 javë me 31 fëmijët e tyre në një banesë në San Jose të Kosta Rikës.

“Ishte një eksperiencë e bukur dhe e vështirë. Nuk mund të themi se gjithçka ishte e lehtë, sepse ne kemi shumë fëmijë dhe adoleshentë, shumë të rinj për të cilët duhet të gjenim mënyra argëtimi, në mënyrë që të mos stresoheshin. Aq më tepër që ne kemi dhe fëmijë me nevoja të veçanta”, tha Melba Jimenez, mamaja e familjes.

Fëmijët e kësaj familje tepër të madhe variojnë nga 4 vjeç deri tek disa të rritur që kanë krijuar familjet e tyre. Jimenez dhe Guzman ishin shumë me fat që kaluan karantinën në një shtëpi me një hapësirë kaq të madhe, e cila u është dhënë 7 vite më parë nga një dhurues anonim. Izolim ose jo, një banesë kaq e madhe me këtë numër kaq të lartë fëmijësh kërkon shumë punë ditore për të përmbushur nevojat bazë.

Nëse kanë arritur një farë moshe, ata angazhohen në punë shtëpiake duke dhënë kontributin e tyre. Disa të tjerë ndihmojnë vëllezërit apo motrat më të vogla me detyrat e shtëpisë.

“Ishte një kohë me familjen, për të gjetur veten dhe gjithashtu Zotin. Mendoj se ishte një kohë, të cilën e shijuam të gjithë”, tregon Maritza, një nga 31 fëmijët e familjes.

Mamaja thotë se koronavirusi është një çështje për jetë a vdekje, ndërsa shpjegon se ka respektuar rregullat strikte të karantinës. Pazari për familjen kryhet vetëm nga babai dhe djali 21-vjeçar, të cilët përdorin një biçikletë për të shkuar në qytet. Çifti nuk merr asistencë nga shtetit, por shpeshherë ndihmohen me ushqime dhe veshje nga fqinjët që admirojnë përpjekjet për rritjen e 31 fëmijëve të tyre.