Deklarata e Zagrebit, Von der Leyen: Ballkani Perëndimor i përket BE-së

Vendet e Bashkimit Europian dolën me një deklaratë të përbashkët nga ai që duhet të ishte takimi i Zagrebit, por që për shkak të pandemisë u shndërrua në një videokonferencë i nivelit më të lartë.

Deklarata e përbashkët kishte 20 pika, të fokusuara mbi mbështetjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor në një kohë të vështirë dhe në aspiratat për anëtarësim të disa vendeve si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.  

Deklarata mbështet pa mëdyshje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar se “partnerët e Ballkanit Perëndimor përsëritën angazhimin e tyre drejt perspektivës evropiane si zgjedhja e tyre strategjike e të palëkundur.

 “Nuk ka dyshim, që Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Unë u bëj thirrje qeverive të këtyre vendeve që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, veçanërisht për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së mediave”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili konfirmon mbështetjen për Ballkanin, por i meshoi faktit se temë e parë e Samitit ishte COVID-19. BE-ja ka vendosur të ndihmojë rajonin e Ballkanit Perëndimor me 3.3 miliardë euro.