Dialogu me Serbinë, Thaçi: Kosova të pranohet si shtet i pavarur dhe sovran

Hashim Thaçi 1100x620

Me një konferencë për shtyp, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, informoi qytetarët për samitin e Zagrebit.

Ai bëri me dije se kërkoi me ngulm liberalizimin e vizave dhe njohjen e pavarësisë së vendit nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri më tani. Dialogu me Serbinë ishte një ndër temat kryesore të samitit.

“Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i njohur prej shumicës së vendeve të BE-së, dialogu duhet të vazhdojë mes dy vendeve sovrane dhe të pavarura, këto realitete nuk mund t’i ndryshojë askush”, u shpreh Thaçi.

Ai nënvizoi se nuk shqetësohet nga letra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, në të cilën akuzonte kreun e shtetit se ka keqinformuar të dërguarin e posaçëm për dialogun, Richard Grenell.

Presidenti tha se beson plotësisht në lidershipin e Uashingtonit në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës nuk pranoi të komentonte deklaratat e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell për shkëmbimin e territoreve.