Serbia shfuqizon gjendjen e jashtëzakonshme

parlamenti serb 1100x620

Kuvendi i Serbisë ka votuar mbrëmë me unanimitet të plotë heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në një seancë që u zhvillua nën masa të forta të sigurisë dhe distancimit social 155 votuan pro dhe asnjë kundër për shfuqizimin e gjendjes së jashtëzakonshme që ishte vendosur në vend që prej 15 marsit.

Në deklaratën që i parapriu votimit, kryeministrja Bërnabiç u shpreh se marrja e këtij vendimi ishte marrë pas konsultimit të plotë me mjekët dhe ekipin e Shëndetit Publik.

“Kushti themelor ka qenë që për më shumë se tetë ditë të kemi nën 5% të infektuar, në raport me numrin e të testuarve. Ky kusht është përmbushur, që nga 28 prilli”, tha Bërnabiç.

Ajo shtoi se pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, qytetarët do të duhet të mësojnë të jetojnë me koronavirusin, duke respektuar distancën fizike dhe masat e tjera.