Baret hapen më 18 maj, si do e pimë kafen?

Më datë 18 maj, baret dhe restorantet do të rinisin punën, por vetëm duke zbatuar protokollin e masave higjieno-sanitare të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Këto subjekte do të lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 17:30. Për ata subjekte që do të vazhdojnë aktivitetin pas kësaj fashe orari, qeveria ka parashikuar masa të ashpra me gjobë deri në pezullim të aktivitetit.

Bar-kafetë dhe restorantet duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e personelit dhe klientëve, ku përfshihen dorezat, dezifektantët dhe maskat për stafin, ndërsa për klientët do të vendoset një higjienizues për duart, në hyrje të subjekteve.

Ndërkaq, tavolinat do të vendosen në 2 metra largësi midis njëra- tjetrës për të respektuar distancën fizike ndërmjet klientëve. Sa i takon dezinfektimit të ambienteve të bareve dhe restoranteve, ky proces parashikohet të kryhet 2 herë në ditë.

Sektori në vështirësi, listë me kërkesa qeverisë

Prej ditësh tashmë subjektet kanë nisur të marrin masat e nevojshme nga protokolli shëndetësor, për të respektuar distancën e sigurisë dhe mjetet e tjera të nevojshme, pavarësisht kostove të mëdha për hapjen e një biznesi.

Pas ndërprerjes së aktivitetit prej 2 muajsh gjendja e sektorit shfaqet e rënduar për shkak të pagesave si qiratë, faturat e energjisë dhe ujit, apo për shpenzime të tjera. Për këto arsye, Shoqata e Bareve, Restoranteve dhe Klubeve të Natës i kërkon autoriteteve një paketë ndihme.

Në listën e kërkesave propozohet reduktimi i TVSH-së, në 6%, i ngjashëm me atë të aplikuar për hotelerinë dhe agroturizmin, përgjysmimi i taksave dhe tarifave vendore, si dhe mbështetja me grante për pagesat e qirasë deri në normalizimin e gjendjes.

Ndërkohë që edhe kufizimi i orarit të qarkullimit shihet si një tjetër pengesë pas rihapjes së aktivitetit. Por nga ana tjetër, një pjesë e bizneseve që kanë funksionuar me shërbim të transportit ushqimor, nuk kanë mundur të përfitojnë nga dy paketat e para të qeverisë, duke lënë pa pagën e luftës me qindra punonjës si kamerierët dhe banakierët.

Sektori që jep 18% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar

Por sa është kontributi i sektorit së bar-restoranteve në ekonominë shqiptare? Sipas të dhënave nga Shoqata e bar-restoranteve, në fund të vitit 2019 rezultonin të regjistruara 14 mijë aktivitete të tilla në total, nga të cilat 7 mijë vetëm në Tiranë.

Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor. Të punësuar direkt në këto biznese janë rreth 80 mijë persona, ndërsa të punësuarit indirekt variojnë nga 30 mijë në 60 mijë vetë. Kjo industri jep një kontribut prej 18% në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar.