Konflikti për Teatrin Kombëtar, artistë mblidhen sërish në shesh, Veliaj reagon nga Bovilla

Oborri dhe sheshpushimi përpara godinës së Teatrit Kombëtar ishte mbushur sot si në një ditë premiere.

E megjithatë, nuk ishte një shfaqje ajo që i bëri sërish bashkë. Ishte vendimi i marrë mbrëmjen e së premtes se kjo godinë do t’i kalonte në pronësi Bashkisë së Tiranës, që do të thotë se Ministria e Kulturës nuk kishte më të drejtë të vendoste për këtë institucion arti.

“Profesionistët e zgjidhën, e thanë vendimin e tyre, në kuptimin profesional ne e kemi marrë përgjigjen se sa vlen Teatri Kombëtar. E tha edhe Evropa Nostra, kjo është lëvizje e pastër politike”, thotë për A2 regjisori Robert Budina, pjesë e Aleancës për Teatrin.

Ndërkohë ka reaguar nga Bovilla ku ndodhej, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, i cili tha se “të gjitha mjetet me vlerë që janë në atë kolibe”, duke iu referuar Teatrit  Kombëtar, “ duhet të magazinohen, le të rrinë te kolibja e shkrepësve fashiste, po bobinat me zërin e Kadri Roshit nuk kanë pse të rrinë aty. Tani që do ta ndërtoj shteti Teatrin, iu ra alibia” reagoi kryebashkiaku.

Duke respektuar distancat e shumë prej tyre edhe me maska të gjithë njëzëri mendonin se ky vendim nuk pritej në një kohë të tillë, të vështirë.