Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Të jetosh në vetëm 9 metër katror

Nga A2 CNN
9 Maj 2020, 16:52 | Lifestyle
Të jetosh në vetëm 9 metër katror

Kate Jones është një artiste që pikturon për revista apo libra. Kur vendosi të banonte në apartamentin e saj të vogël, por me çmim të përballueshëm në Paris, nuk e kishte menduar asnjëherë se do të detyrohej që për muaj të mbyllej në një hapësirë vetëm 9 metër katrorë.

Prej 17 marsit të kaluar, ajo është detyruar t’i kalojë ditët në hapësirën modeste, për shkak të izolimit të vendit nga pandemia e koronavirus. Franca mbylli javën e tetë të karantinës, ku 67 milionë banorëve u është kërkuar që të mos dalin nga shtëpia. Masat e ndërmarra nga qeveria do të nisin të lirohen vetëm prej datës 11 maj. Jones e pranon se fillimisht, mbyllja në shtëpinë e vogël e bëri 30-vjeçaren të ndihej klaustrofobike.

“Në një farë mënyre ndihem thuajse klaustrofobike. Një Zot e di sa do ta dëshiroja një kopsht. Kurrë më shumë se në këto momente nuk kam dëshiruar të ecja mbi bar apo të qëndroja jashtë, vetëm me qiellin mbi kokë. Aq më tepër prej faktit se vij nga Australia dhe jam rritur në hapësira të mëdha. Duke jetuar në vetëm 9 metër katror, nuk mund të thuash: ‘kjo është dhoma e gjumit’, ‘po shkoj të punoj në dhomën tjetër’ apo ‘do të ushqehem në dhomën e gatimit dhe më pas po kthehem në studio’. Fatkeqësisht nuk e kam këtë luks. Thjesht duhet gjetur mënyra që në këtë hapësirë kaq të vogël, të krijosh një kënd pune apo zona të ndryshme për veprimtari të ndryshme”, thotë Kate.

Për të përballuar sa më mirë jetën në hapësirën e vogël, Kate ka hartuar një planimetri në 9 metrat katror, me zona ku mund të punojë, të lexojë apo thjesht të çlodhet. Gjithashtu, ajo ka mbjellë karota, avokado apo luledielli, të cilat e ndihmojnë të jetë më e qetë.

“Kisha pak dhe të mbetur nga një bimë e tharë. Nisa ta ujisja nga pak çdo ditë, deri sa bima u rrit sërish. Ishte vërtetë e dobishme, mbi të gjitha në këtë periudhë kur koha ecte më ngadalë. Me kalimin e kohës, ndryshimi ishte gradual. Në vend që t’i shtoja presionin vetes për gjërat që mund të mësoja apo çfarë mund të realizoja, sepse kisha kohë, iu përkushtova pasionit për bimët gjatë kësaj kohe kur jeta ecte me ritëm të ngadaltë”, tregon Kate.

Apartamente-studio si ky ku banon Kate Jones janë të zakonshëm në Paris, me një kosto qiraje 550 euro në muaj. Në kryeqytetin francez përllogaritet se janë 114000 apartamente të tilla të vogla, bazuar në vëzhgimin e Agjencisë së Urbanizimit të Parisit, të kryer në vitin 2015.

Të quajtura “chambre de bonne”, emërtimi i këtyre apartamenteve e ka origjinën nga emri kolonial që përdorej për shërbëtoret, e cila përkthehet “e mirë për gjithçka”. Dhomat u shfaqën në fillimin e shekullit të XIX, kur familjet që zotëronin një ndërtesë të plotë, caktuan që shërbëtorët të jetonin në papafingo, duke e ndarë hapësirën në dhoma të vogla për fjetjen, të cilat ishin të veçuara nga hapësirat e familjes.

Në ditët e sotme, këto ambiente banimi përdoren nga njerëzit me të ardhura të kufizuara, si studentët e huaj apo artistët e rinj, të cilët i shfrytëzojnë si studio-apartamente. Shqetësimet për standardin e jetës në Francë, bën që në vitin 2002 të miratohej legjislacioni, sipas të cilit një person duhet të jetojë në një hapësirë të paktën 9 metër katror.

“Është një apartament me çmim që mund ta përballoj. Kjo është arsyeja kryesore. U transferova këtu kur punoja si kameriere, rroga nuk ishte e lartë. Gjithsesi është një apartament i këndshëm. Duke bërë një organizim të mirë të hapësirës, është i mjaftueshëm për t’u ndjerë komode”, thotë Kate.

Megjithëse ka krijuar një banesë të rehatshme dhe ka mësuar të shijojë jetën në ambiente të mbyllura, Jones po pret me padurim rifillimin e jetës normale. “Sapo të hapen parqet, do të organizoj një piknik. Kjo do të jetë kënaqësia më e madhe. Ndoshta mund të vendos të ulem edhe buzë një lumi, të marr rreze dielli dhe ajër të pastër. Gjithashtu, ndër gjërat e para që do të bëj pas pandemisë do të jetë të përqafoj miqtë e mi”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë