Shpikësit e “spray”-t për goditjet e dënimit kërkojnë burg për presidentin e FIFA-s

infantino 1100x620

Pablo Silva dhe Haine Allemagne, krijuesit e “spray”-t që përdorin arbitrat për të shënuar distancën e barrierës në goditjet e dënimit, kërkojnë deri në 4 vite burg për drejtuesit e FIFA-s për përdorimin e këtij mjeti pa lejen e tyre.

Silva dhe Allemagne kanë paditur në një gjykatë braziliane FIFA-n për shkelje të patentës së shpikjes. Padia është bërë para 4 vitesh, por në ditët e ardhshme do të nisë gjykimi.

Ata janë të bindur se drejtësia është në anën e tyre dhe kanë kontraktuar avokatin Cristiano Zanin Martins, i cili nxori nga burgu ish-presidentin e Brazilit, Lula da Silva. Silva dhe Allemagne kërkojnë rreth 40 milionë dollarë dëmshpërblim.

“Jemi në pritje të shkallës së parë të gjykimit. Do të kërkojmë që presidenti Gianni Infantino dhe të gjithë të tjerët që janë përgjegjës të arrestohen”, tha Silva për spanjollen “AS”.

“Kemi pasur një marrëveshje me ish-drejtuesit e FIFA-s, Julio Grondona dhe Joseph Blatter. Në këmbim të përdorimit të “spray”-t, do të na jepnin 40 milionë dollarë. Por, pas skandalit të FIFA-s dhe vdekjes së Grondonës, humbëm çdo komunikim me FIFA-n dhe ajo e përdori “spray”-n pa përmbushur marrëveshjen”, shton Silva.