FSHF zhvillon asamblenë “online”

Masa të jashtëzakonshme, në një situatë të jashtëzakonshme. Edhe pse ka ndalur në fushë, futbolli mbetet aktiv. Nga kërkesat drejtuar instancave shtetërore për rikthimin në stërvitje, te Asambleja e Zakonshme, e cila prej pandemisë u zhvillua e gjitha “online”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha: “Është një asamble në kushte të jashtëzakonshme. Uroj të kthehemi shpejt në normalitet dhe të rinisë futbolli. Po bëjmë stadiumin në Kukës dhe do të mund të luhet edhe në grupet e Champions League. Falënderoj bashkitë që kanë paguar lojtarët, si dhe stafin e federatës dhe kombëtares, me në krye trajnerin Reja që pranuan të ulnin pagat për të ndihmuar në këtë situatë. Trajneri i kombëtares Edi Reja është vendosur në drejtimin e Departamentit të trajnerëve, që ka si synim kryesor evidentimin dhe ndjekjen e supertalenteve, të cilët do të na japin garanci për ecurinë e mirë të kombëtares A”.

Përpos falënderimeve për mbështetjen e qeverisë për stadiumin e ri kombëtar, impiantin në Kukës apo për selinë e re të federatës, presidenti Duka nuk i fshehu rezervat për temat e prekshme, nga ligji i munguar i sponsorizimeve, deri te injorimi i futbollit gjatë emergjencës së koronavirusit: “Do të doja të falenderoja edhe Qeverinë Shqiptare për bashkëpunimin e deritanishëm. Për investimin e përbashkët në stadiumin e Kukësit. Për tokën mbi të cilën ndërtuam shtëpinë e futbollit. Dhe për faktin që gjatë periudhës së pandemisë na injoroi e anashkaloi si për mbështetjen financiare të anëtarëve tanë, ashtu edhe për bashkëpunimin inekzistent në rifillimin e aktivitetit të futbollit”.

Gjatë punimeve të Asamblesë, ku klubet votuan “online” për pikat e përcaktuara në rendin e ditës, u vendos përjashtimi nga anëtarësia e Kamzës dhe Domosdovës, të cilat nuk marrin më pjesë në gara.

Çështjet e shqyrtuara në Asamblenë e Federatës nxitën reagimin e Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë. Kryetari i kësaj sindikate, Andi Lila, shprehu keqardhje për vendimet e mara. Nga përjashtimi i Kamzës, që sipas ish-mbrojtësit të Kombëtares “tashmë që nuk është më anëtare, rrjedhimisht nuk duhet të ketë as stadium”. Një akuzë se me këtë vendim, Federata e Futbollit “i dha dritën jeshile” prishjes së stadiumit të planifikuar nga Bashkia e Kamzës.

Një tjetër pretendim i Sindikatës së Futbollistëve lidhet me faktin se në Asamble nuk u përmend për asnjë moment kërkesa për nisjen e bisedimeve për kontratën kolektive të lojtarëve.